Trajnerët shqiptarë do marrin “rrugët e kurbetit”, drejt Dubait, Turqië e Kinës!

Dëshirojnë edhe ata të bëhen globalë. Disa nga trajnerët shqiptarë pritet që të kenë shpejt mundësi të reja larg vendit tonë. Të tillë si Skënder Gega apo Alban Bushi janë ndër emrat e përfolur për të tentuar një karrierë jashtë Shqipërisë, dhe konkretisht në vendet e Lindjes. Synimi i tyre është të kalojnë në Lindjen e Largme, kryesisht në Dubai, në Turqi ose në Kinë. Kjo, pasi futbolli në këta vende ka fituar status të ri, dhe fuqi shumë më të madhe financiare.

Gega, kampion i Shqipërisë me Partizanin në 2019, ka punuar më parë jashtë, ndërsa ka qenë trajner tek Al Xhahra në Kuvajt në vitet 2015 e 2016, së bashku me trajnerin e portierëve, Gut Tafaj. Bushi, ndërkaq, ka një karrierë më të shkurtër, ai është në stolin e Shqipërisë U21, por Turqinë e njeh sepse ka luajtur atje për disa vjet, ashtu siç ka luajtur edhe në Hungari, Bullgari apo Greqi. Edhe Ardian Mema, ish-trajneri i Tiranës, punoi gjithashtu në Lindjen e Mesme në 2015, si trajner i ekipit të 19-vjeçarëve tek Haxher Klub në Arabinë Saudite.

Për momentin, praninë më të madhe dhe sukseset më të mëdha teknikët shqiptarë i kanë pasur në vendet fqinjë si në Maqedoninë e Veriut e Kosovë, ku janë të shumtë. Së fundmi, Ernest Gjoka u shpall kampion i Maqedonisë së Veriut me Shkëndinë e Tetovës dhe pritet të synojë sukses në Champions sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al