Zinedin Zidan u tha një ditë përpara lojtarëve të tij që të ishin agresivë dhe të zotëronin topin. Yjet e Realit nuk e bënë dysh fjalën e trajnerit të tyre për porosinë e dytë, por sa për të parën, e patën të pamundur. Agresiviteti duket se ka marrë “shtëpi” në Angli, dhe Çelsi i Londrës siguroi me meritë finalen e Championsit. Jo vetëm sepse fitoi 2-0 në “Stemford Brixh” duke kaluar me shifrat e përgjithshme 3-1, dhe pavarësisht se Reali pati 68 për qind të zotërimit të topit.
Përtej përpjekjeve heroike të madrilenëve dhe rrezikut të quajtur “Karim Benzema”, Blutë e Londrës ishin në komandë dhe mund të shënonin në çdo moment që të donin. Jo më kot, trajneri Tuhel, sulmuesi Maunt dhe opinionistët deklaruan se “Çelsi mund të kishte shënuar 5, 6 apo 7 gola!” Diçka e jashtëzakonshme kur këtë e bën përballë Realit! Kjo të bën të kuptosh se është epoka e anglezëve, ndërsa finalja do të jetë e gjitha e tyre, Mançester Siti-Çelsi. Jurgen Klopi vetëm tani duhet të ketë kuptuar se çfarë gabimi të madh bëri Liverpuli i tij që duhej të ishte kualifikuar ndaj Madridit, por e pengoi kaosi i një sezoni fatkeq. Gjithsesi, anglezët janë aty, duke pritur edhe finalen tërësisht të tyren në Ligën e Europës, ku mund të jenë Mançester Junajtid e Arsenali.
Në “Stemford Brixh”, Çelsi pati 15 gjuajtje drejt kuadratit ndaj 7 të Realit, bëri presion dhe ishte i rrezikshëm sa herë kapte topin. Timo Verner shënoi golin e parë në 28’ dhe Mejzën Maunt dyfishoi shifrat në 85’. Nuk bëri punë as prania në fushë e Sergio Ramosit, ashtu si edhe ajo e Benzemasë, Modriçit, Krosit e Valverdes. Gjithë përvoja e botës nuk vlen përpara energjisë dhe urisë për të fituar.
Çelsi (3-1-4-2): Mendi, Kristensen, Tiago Silva, Rydiger, Zhorzhinjo, Azpilikueta (Xhejms 88’), Kante, Maunt (Zijeç 89’), Çiluell, Haverc (Zhiru 90’+4), Verner (Pulishiç 67’). Tr. Tuhel
Reali (3-4-1-2): Kurtua, Militao, Ramos, Naço, Mendi (Valverde 63’), Kros, Kasemiro (Rodrigo 76’), Modriç, Vinisius (Asensio 63’), Hazar (Mariano 89’), Benzema. Tr. Zidan
Sfidanti.al