I fortë është ai ekip që di të fitojë me vuajtje. Tirana e këtij sezoni, ngjashëm me atë që fitoi titullin me trajnerin Emanuel Egbo, po e bën javë pas jave, dhe arriti një sukses tepër të rëndësishëm në Shkodër. Shifrat 2-0 në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë ishin në vazhdim të triumfit në derbin ndaj Partizanit, dhe bënë që kryeqytetasit të ngjiten sërish të vetëm në krye të Abisnet Superligës. Redon Xhixha dhe Taulant Seferi shënuan golat, por rezultati nuk tregon gjithçka pasi shkodranët ishin vazhdimisht të rrezikshëm. Të besuarit e trajnerit Tomas Brdariç mund të kishin shënuar të parët, ndërsa ishin shumë më aktivë në pjesën e parë. Gjithsesi, thelbi i futbollit janë golat dhe ata i shënuan tiranasit, edhe pse patën shumë pak mbështetje nga tifozët sepse klubi vendas ndaloi tifogrupin “Tirona Fanatiks” të hynte në stadium, duke e akuzuar për fyerje.
Çfarë do të thotë kjo fitore e bardhebluve, edhe në inferioritet numerik, dhe përse dështoi Vllaznia? Futbolli natyrshëm nuk është shkencë ekzakte, dhe fiton ekipi që është më i qetë. i tillë më shumë u duk Tirana, e cila ka tani 17 pikë në krye të renditjes së kampionatit ndaj 14 të Kukësit. Edhe pse gara do të jetë e gjatë, sepse kanë kaluar vetëm 7 nga 36 javë, sërish siç thotë populli “dita e mirë duket që në mëngjes”.
Sfidanti.al