Pritej apo nuk pritej, kjo ka pak rëndësi, pasi vlen fakti. Tirana arriti të fitonte një nga ndeshjet më të vështira të sezonit, atë në fushën e Teutës (ndonëse luajtur në “Elbasan Arena”) dhe e pret si kryesuese derbin e kampionatit ndaj Partizanit. Bardheblutë triumfuan 3-2 ndaj kampionëve në fuqi në një ndeshje që pati dy përmbysje, pasi miqtë kryesuan 1-0, pastaj durrsakët përmbyrën në 2-1 dhe në fund Tirana arriti fitoren. Edhe pse pati lojtarë që vinin nga Kovidi, dhe disa ishin në stol si Ngo apo Seferi, ndërsa Hoxhallari u hodh titullar. Xhixha në 1’, Totre në 51’ dhe Limaj në 64’ ishin autorët e golave për ekipin e trajnerit Orges Shehi, ndërsa Ivanoviç e Najdovski (autogol) shënuan për Teutën.
Në ndeshjen tjetër të së dielës, Partizani u ndal në barazim nga Kukësi 1-1 në “Arenën Air Albania”. Të besuarve të trajnerit Ilir Daja nuk u bëri punë fakti që luajtën në fushën e ripunuar, dhe ku kombëtarja priti Poloninë në 12 tetor. Cara i kaloi në epërsi në 65’, por kuksianët barazuan shpejt në 70’ me anë të Feizhaos. Në pjesën e parë, ekipi i trajnerit Longo pati një rast të mirë në fund, ndërsa pas pushimit të kuqtë patën 3 mundësi, por nuk shënuan dot asnjërën. Pas 5 javësh kampionat, Partizani ka vetëm 4 pikë duke mos pasur asnjë fitore.
Java 5: Teuta-Tirana 2-3, Partizani-Kukësi 1-1, Laçi-Egnatia 0-1, Kastrioti-Skënderbeu 2-0; Të hënën, 13:45: Kukësi-Vllaznia.
Renditja: Tirana 11 pikë, Kukësi 8, Teuta 8, Vllaznia 6 (-1), Dinamo 6 (-1), Partizani 4, Kastrioti 4, Skënderbeu 3, Laçi 2.
Sfidanti.al