Polemikat e fitores së Juves me Romën, si mund të anulohej goli i Abrahamit?!

“Kur është rast penalltie, avantazhi nuk jepet kurrë”. Kështu shpjegoi arbitri Orsato, i pyetur nga një lojtar i Romës në tunelin e stadiumit “Alianc” të Torinos, ndërsa dialogu u fiksua nga kamerat. Vetë mediat italiane deklaruan se Orsato ishte gabim, pse kur një ekip ka shansin të shënojë gol dhe e bën këtë, lejohet avantazhi edhe kur mund të jepet penallti. Kjo gjë nuk iu lejua Romës, që shënoi me anë të sulmuesit të ri anglez, Tami Abraham, duke barazuar ndeshjen në fund të pjesës së parë, por goli i tij u anulua sepse Orsato dha 11-metërsh. Për ta bërë më të keq momentin për Romën në fushën e Juventusit, francezi Veretut e humbi penalltinë (pritur nga Shezni), dhe vendasit fituan 1-0 me gol të shënuar nga Moize Kean në 16’. Kjo ishte fitorja e 4-ët radhazi e Juventusit në Serinë A duke u ngjitur në 14 pikë, ndonëse vetë trajneri Alegri pranoi se ekipi i tij nuk meritonte më shumë se barazimin, ndërsa Zhoze Murinjo i Romës tha se verdhekuqtë kishin qenë më të mirët në fushë. Marash Kumbulla i kombëtares shqiptare ishte në stol për kryeqytetasit.

Juventus: Shezni, Danilo, Bonuçi, Kielini, De Shilio (Aleks Sandro 88’), Kuadrado, Betankur, Lokateli, Bernardeski (Artur 76’), Kean (Morata 71’), Kieza (Kulushevski 71’). Tr. Alegri

Roma: Patrisio, Karsdorp, Mançini, Ibanjez, Vina, Kristante, Veretut (Shomorudov 81’), Zaniolo (El Sharaui 26’), Pelegrini, Mkitarian, Abraham. Tr. Murinjo.

Sfidanti.al