Fitorja 5-1 në Leverkusen tregon pse Bajerni e fiton titullin e 10-të radhazi!

Julian Nagelsmanit iu desh vetëm një verë për të kuptuar sekretet. Nisja e trajnerit të ri në Mynih ishte tepër e vështirë, por vazhdimi është një “feldcug” (Feldzug), pra një “fllad pranveror” për Bajernin dhe për vetë atë. Suksesi 5-1 në Leverkusen tregoi se përse bavarezët janë favoritë të shkëputur nga të tjerët për të fituar titullin e 10-të radhazi, duke treguar një dominim që po lodh edhe vetë triumfatorët. Kënaqësia e vërtetë e Nagelsmanit padyshim që do të jetë në Champions, apo në sfidat plot kurthe të Kupës së Gjermanisë.

Robert Levandovski shënoi 2 gola, po aq edhe Serg Gnabri, ndërsa një tjetër e shënoi “fshatari bavarez”, Tomas Myler. Bajerni madje realizoi që të gjitha rrjetat në pjesën e parë, dhe për 4 prej tyre iu deshën vetëm 7 minuta. Kur fiton kështu ndaj ekipit që ishte baraz me pikë me, ekipi legjendar tregon se nuk ka rivalë, edhe pse Dortmundi i Halandit është vetëm 1 pikë prapa, 18 ndaj 19. “Ne mund të shënonim edhe 2 apo 3 gola të tjerë në pjesën e parë, – tha Nagelsmani, – patëm shumë raste. Pas pushimit, ndeshja u luajt ashtu siç luhet kur kryeson 5-0. Përtej sulmuesve, dua të lavdëroj mesfushën që ishte e jashtëzakonshme, dua të falenderoj Leonin (Goreckën) që luajti në një pozicion jo familjar për të”.

Sfidanti.al