Nuk ka qenë titullar 100 për qind këtë sezon, ashtu si vitet e kaluara, por mbetet një garanci, dhe është po ai që ka qenë gjithnjë. Një Berat Gjimshiti që mungon është një minus i madh për Atalantën, ashtu si edhe për kombëtaren shqiptare, dhe trajneri Gasperini e thekson këtë gjë. Mbrojtësi kuqezi do të jetë jashtë fushave për një periudhë të gjatë kohe pasi theu krahun në ndeshjen në Hungari për eleminatoret e Botërorit. “Një mëkat, – thotë Gasperini, – për fat të keq Gjimshiti u kthye i dëmtuar nga kombëtarja. Kemi një tur force me shumë ndeshje dhe do të ishte mirë që t’i kishim të gjithë lojtarët”.
Bergamaskët do të kenë dy ndeshje tepër të vështira në Champions ndaj Mançester Junajtidit, në 20 tetor dhe pastaj në 2 nëntor, fillimisht në “Old Traford” e pastaj në Itali. Në Serinë A gjithashtu do të ketë përballje të forta deri në 6 nëntor, në shtëpi ndaj Udinezes, në Gjenovë ndaj Sampdorias, si zot shtëpie kundër Lacios dhe pastaj udhëtim në Kaljari.
Sfidanti.al