Tirana fiton në frymën e fundit në Kamzë ndaj Kastriotit!

Një skuadër e tillë padyshim që nuk do t’i ndahet titullit. Tirana mund të ketë largime e ndryshime, dhe trajneri i saj Orges Shehi mund të shqetësohet mjaft, por gjithsesi ekipit të tij diçka nuk i mungon aspak. Karakteri. Falë tij, kampionët e vendit shkëputën fitoren pikërisht në frymën e fundit në fushën e Kastriotit. Ishte minuta e 100-të e një ndeshjeje të ashpër dhe me nerva, kur 18-vjeçari nga Peja, Nikqi, realizoi golin e triumfit. Ky tripikësh bëri që Tirana të shkëputej sërish në krye të Superligës duke pasur tani 40 pikë në 22 ndeshje, e duke lënë tri pikë prapa Partizanin. Në të vërtetë, kryeqytetasit mund të kishin kaluar shumë më shpejt në epërsi, që në minutën e 16-të kur Florent Hasani gjuajti penalltinë, por u ndal nga portieri Sali.

Bardheblutë patën edhe raste të tjera, por gardiani vendas nuk lejoi tundjen e rrjetës deri në minutën e 100-të. Po ashtu, sfida në stadiumin e Kamzës pati momente gjaknxehtësie, dhe gjithçka kulmoi në 79’ kur Aleksi i Tiranës dhe Çela i Kastriotit u përjashtuan me kartonë të kuq. Në ndeshjen tjetër të së njëjtës orë, Vllaznia nuk shkoi dot më shumë sesa deri tek barazimi 0-0 në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Tirana kryeson me 40 pikë ndaj 37 të Partizanit e 35 të shkodranëve.

Sfidanti.al