Është ende shumë shpejt, kanë kaluar vetëm 6 javë, por në “Loro Boriçi” kjo lloj fotoje është bërë emblematike. Një skuadër shkodrane në festë për fitoren e radhës dhe për kryesimin e Superligës, ndonëse këtë herë ndoshta gëzimi ishte pak i tepruar. Fitorja e Vllaznisë ishte “e vogël” vetëm 1-0, falë një goli të vetëm nga mbrojtësi Imami (50’). Nuk ishte e lehtë të kalohej Bylisi, i cili pati rast të barazonte me Qardakun, por gjithsesi duhet thënë se suksesi shkodran ishte i merituar. Skuadra e trajnerit Tomas Brdariç (të sëmurë), që këtë herë u drejtuar nga Plori, është në krye të renditjes me 13 pikë.
Superliga po njeh sërish edhe Kukësin pasi skuadra verilindore arriti fitoren e tretë radhazi, dhe tani është shumë pranë vendeve të para, në katërshe. Ishte tepër i vështirë suksesi ndaj Apolonisë së vendit të fundit, edhe pse u luajt në një fushë shumë të mirë si ajo e “Elbasan Arenës”. Sulmuesi Eze shënoi në minutën e 78-të. Ndeshjet e tjera të sotme ishin barazime 1-1, Teuta-Kastrioti dhe Skënderbeu-Laçi. Zhgënjyen durrsakët që mezi barazuan me Lorenco Vilën në 87’, ndërsa krutanët e Ramadan Ndreut rezistuan fort madje kaluan të parët në epërsi me Okebungun në 85’. Kastrioti është i pathyer në 6 javë (2 fitore, 4 barazime), ashtu si edhe Teuta (1 fitore, 5 barazime).
Në Korçë, Skënderbeu vendas kryesoi me golin shumë të bukur të Marës në 72’, dhe kurbinasit barazuan me Harmonin në minutën e dytë shtesë. Shumë pak gola këtë javë, vetëm 6, ndërsa javën e kaluar pati 19. Të premten, derbi Tirana-Partizani përfundoi 0-0.
Java 6: Vllaznia-Bylis 1-0, Kukësi-Apolonia 1-0, Teuta-Kastrioti 1-1, Skënderbeu-Laçi 1-1, Tirana-Partizani 0-0. Renditja: Vllaznia 13, Partizani 11, Kastrioti 10, Kukësi 10, Teuta 8, Laçi 7, Tirana 6, Skënderbeu 5, Bylis 4, Apolonia 2.
Sfidanti.al