Dy fitore për të lënë prapa rivalët. Të tillë sukseset e Teutës e Tiranës në javën e 4-ët të Abisnet Superligës që sollën ndryshime të mëdha në renditje. Durrsakët triumfuan 3-2 në një ndeshje me shumë gola dhe emocione në “Elbasan Arena”, madje ku gjithçka ndodhi në pjesën e parë. Kampionët në fuqi të Shqipërisë shënuan të parët, por u desh të përballonin përmbysjen e vendasve. Aleksi, Plaku dhe Kubemba shënuan për të besuarit e trajnerit Edi Martini, si dhe Korreira e Taipi për kuksianët e trajnerit italian Longo. Edhe pas pushimit dy ekipet patën raste, madje Kukësit iu anulua një gol për pozicion jashtë loje milimetrik. Teuta doli në krye të renditjes me këtë fitore me 8 pikë ndaj 7 të veriorëve.
Po 8 pikë edhe për Tiranën që ia doli ndaj Laçit në “Selman Stërmasi”. Edhe pse nuk bindi plotësisht me lojë, skuadra bardheblu siguroi suksesin 2-0 duke u rrezikuar disi për t’u barazuar, por duke përfituar nga dy autogola. Roganoviç në 53’ dhe Ignjatoviç në 75’ ishin ata që e dërguan topin në portën e skuadrës së tyre. Bardheblutë arritën fitoren e dytë në këtë kampionat, ndërsa një nisje e tillë e dobët as nuk mendohej për kurbinasit, që kaluan dy raunde në Ligën e Konferencës. Gjithsesi, duket se largimi i trajnerit Shpëtim Duro dhe ardhja e malazezit Vukiçeviç krijoi probleme dhe Laçi ka vetëm 2 pikë.
Sfidanti.al