Superliga nis sot si “refugjate” ndeshjet e javës së tretë, Kastrioti e Teuta pa “shtëpi!

Do të luhet në Kamzë dhe Rrogozhinë. E tillë gjendja në Superligën shqiptare ku një numër i madh stadiumesh nuk janë gati edhe pse ka nisur sezoni, dhe dy ndeshjet e sotme do të jenë në fusha neutrale. Në Kamzë, Kastrioti pret Tiranën, dhe në Rrogozhinë luan Teuta me Dinamon, që të dyja sfida të javës së tretë dhe që nisin në orën 13:45. Krutanët kanë kohë që nuk luajnë në shtëpi sepse stadiumi nuk i plotëson kushtet dhe prej vitesh pritet të rindërtohet, por kjo nuk ndodh për mungesë fondesh. Ekipi i trajnerit Ndreu do të përpiqet të marrë pikët e para pas dy humbjeve, ndonëse përballë do të ketë një rival që është pretendent për titull si Tirana. Kryeqytetasit hodhën një hap të gabuar javën e kaluar duke barazuar në shtëpi me Egnatian, pavarësisht dominimit absolut me lojë, ndërsa nuk duan që të gabojnë për sëri.

Në Rrogozhinë, vendase është Teuta që e ka fushën e stadiumit të saj në proces të mbjelljes së pjesshme të barit. Durrsakët, kampionë në fuqi, e kanë nisur mirë sezonin me fitore ndaj Partizanit e barazim në Shkodër, ndaj nuk duan që të ndalen ndaj Dinamos. Pritet një duel i fortë pasi edhe blutë e kryeqytetit kanë hyrë me pretendime. Tirana, Teuta e Dinamo kanë nga 4 pikë në renditje, menjëherë pas Kukësit që kryeson me 6 pikë.

Java 3: Sot, 13:45: Kastrioti-Tirana, Teuta-Dinamo; Nesër, 19:45: Partizani-Vllaznia; Të hënën, 13:45: Laçi-Kukësi, Egnatia-Skënderbeu.

Sfidanti.al