Skënderbeu zhyt në krizë Partizanin dhe trajnerin Sormani!

Teknikët e futbollit janë gjithnjë njerëz me valixhe në duar, dhe ndoshta italiani i të kuqve mund të jetë duke i bërë gati të vetat. Humbja ndaj Skënderbeut ishte tepër e rëndë për Partizanin, dhe Adolfo Sormani dështoi në një tjetër rifillim, siç ndodhi në rifillimin e kampionatit pas pushimit dimëror. Të jetë vallë rastësi? Vështirë, ndërsa renditja flet vetë me vetëm 38 pikë, e duke qenë në vend të katërt nga fundi, pra në garë me Vllazninë e Bylisin për t’iu shmangur plej autit.

Skënderbeu triumfoi pikërisht në “Selman Stërmasi”, në një ndeshje me raste të shumta për të dyja skuadrat, por ku korçarët u treguan më të saktë. Sidomos, më të qetë. Përvoja e Ilir Dajës, një trajneri që ka vite profesion mbi supe u tregua “armë” më e fortë sesa pasaporta italiane e Sormanit, dhe fakti se ai ka punuar me të rinjtë e Napolit e të Juventusit, si dhe me Veljen në Danimarkë.

Gripshi e Dita ishin autorët e golave për ish-kampionët, ndërsa Ferrati shkurtoi diferencën në fund për vendasit. Partizani pati mundësi me Bardhin, Boldorin, Carën e Çinarin, por korçarët u përgjigjën me Bregun e Ditën, të gjithë këta raste në pjesën e parë. Krasniqi mund të shënonte golin e tretë për miqtë, por Partizani pati gjithashtu raste të mirë me Braunin, si dhe kërkoi penallti që nuk u gjykua e tillë nga arbitri Jorgji. Në fund, Bregu sërish mund të kishte shënuar për ekipin e Ilir Dajës.

Më herët, Tirana hodhi një tjetër hap drejt titullit me fitoren 3-1 në fushën e Bylisit, Kukësi vuajti shumë për të mposhtur 2-1 Luftëtarin, Laçi e Teuta e mbyllën në barazim 1-1, ndërsa Vllaznia fitoi 3-1 në Vlorë ndaj Flamurtarit.

Java 27: Partizani-Skënderbeu 1-2, Bylis-Tirana 1-3, Kukësi-Luftëtari 2-1, Laçi-Teuta 1-1, Flamurtari-Vllaznia 1-3.

Renditja: Tirana 56, Kukësi 47, Skënderbeu 44, Laçi 42, Teuta 41, Vllaznia 38, Partizani 38, Bylis 36, Luftëtari 14, Flamurtari 11.

Sfidanti.al