Kishte kohë që flitej se Tirana do të duhej të afrohej me një trofe këtë sezon. Po ashtu, që Skënderbeu vërtet mund të mos dalë kampion (duket si titull i “taksur” për Kukësin), por edhe jashtë loje për fare nuk mund të mbetej. Sa për Partizanin, shohim e bëjmë. Zgjidhja e “teoremës” së Kupës së Shqipërisë shkoi pikë për pikë sipas kësaj skeme, me dy skuadrat e lavdishme të futbollit në vend, që do të diskutojnë fitoren e saj në finalen mes tyre.
Tirana (le ta nisim me bardheblutë) të paktën për një rast, nuk ia plasi buzën tifozëve të saj, duke eleminuar Besëlidhjen në gjysmëfinale. Pas barazimit 1-1 në Kukës, Taku e Hoxhallari shënuan golat e fitores në “Selman Stërmasi”. Ekipi i drejtuar nga Mirel Josa mbylli thuajse gjithçka në pjesën e parë kur realizoi edhe rrjetat. Një mundësi e madhe për në Ligën e Europës, që do të thotë nja 200 mijë euro në arkat e presidentit Refik Halili, që prej kohësh ka qenë shumë “hollë”. Tirana është 15 herë fituese e Kupës, rekord i ndarë me Partizanin, ndërsa kërkon triumfin e parë që nga viti 2012.
Skënderbeu do të jetë në finalen e pestë dhe do të kërkojë kupën e parë. Kampionët e drejtuar nga Ilir Daja sërish fituan 1-0 me Teutën, këtë herë në Durrës. Lojtari më i mirë i momentit, Liridon Latifi, shënoi golin e vetëm në minutën e 52-të, veçse ishte një aksion me pjesëmarrjen e Salihit dhe Gavazajt. Korçarët arritën ta kontrollonin mirë lojën, duke përfituar edhe nga fitorja 1-0 e takimit të parë. Ata patën thuajse po aq raste sa durrsakët dhe nuk u ndjenë thuajse për asnjë moment të eleminuar në “Niko Dovana”.
Sfidanti.al