Rrëzimi i tretë i Partizanit, Kukësi nis shkëputjen në krye të Superligës!

Çfarë po ndodh kështu me favoritin për titull? Partizani pësoi edhe humbjen e tretë radhazi në Superligë, minimalisht në fushën e Teutës, por kjo mjaftoi për të mbetur edhe më prapa kreut. Disfata në Durrës, shoqëruar me fitoren e Kukësit në Shkodër, bëri që diferenca me vendin e parë të rritet në 5 pikë, ndërsa shanset për të mbrojtur kurorën e fituar vjet të zvogëlohen edhe më shumë

Në “Niko Dovana” u luajt dueli mes dy ekipeve që shkarkuan trajnerët në të njëjtën ditë e në të njëjtën orë, dhe u duk se kryeqytetasit kishin reaguar pozitivisht pas largimit të Lerdës. Partizani, i drejtuar nga dyshja Kalari-Tomori, bëri më shumë, duke u mbështetur edhe tek potenciali shumë më i madh. Krijoi të paktën 7 mundësi për të shënim, por golin nuk e gjeti asnjëherë.

Nëse shikon lojën, të kuqtë ishin mirë, por presioni për rezultat i dëmtoi dhe ata humbën rastë të pastër. Mbi të gjithë ai që do të largohet, Jasir Asani, që deshi të ikte me kujtim të mirë drejt Suedisë. Nuk ndodhi kështu, dhe Partizani do të duhet të sforcohet shumë për t’u ngjitur sërish.

Po Teuta me trajnerin e ri, Edi Martini? Luftoi shumë dhe mori 3 pikët, por pati edhe fat përballë një kundërshtari me më shumë cilësi e alternativa. Që tensioni ishte i madh u duk edhe tek numri i pazakontë i kartonëve të kuq, plot pesë. Teuta e mbylli ndeshjen me 9 vetë, pasi iu përjashtuan dy lojtarë në fushë, Beqja e Shkalla, dhe një nga stoli, Duka. Kryeqytetasit humbën Melon dhe Boldorin.

Edhe rezultati i ndeshjeve të tjera nuk e ndihmoi Partizanin, pasi Kukësi fitoi në “Loro Boriçi” 2-1 ndaj Vllaznisë, Bylisi kaloi 1-0 Laçin, ndërsa Luftëtari arriti një fitore morali, 2-0 ndaj Skënderbeut. Kukësi kryeson renditjen me 30 pikë, ndaj 27 të Bylisit, e Laçi e Partizani kanë nga 25 pikë.

Sfidanti.al