Presidenti Demi gjithnjë u beson trajnerëve të tij, Mehmeti e dinte që më parë!

Nëse ka një klub ku tekniku mund të punojë i qetë, të paktën lidhur me presionin nga kreu, ky është Partizani. Që nga Sulejman Starova, italianët që erdhën radhë-radhë, Daja apo edhe tani Dritan Mehmeti, e kanë ditur gjithmonë këtë gjë. Presidenti i të kuqve, Gazmend Demi, informoi nëpërmjet një mesazhi se Mehmeti do të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm, ndërsa kishin dalë “thashetheme” se ishte arritur një akord me ish-trajnerin e Vllaznisë, Tomas Brdariç. “Mehmeti është trajneri im”, – shkruhej në mesazhin e Demit, gjë të kujton mënyrën sesi gjenerali i famshëm rus, Aleksandër Suvorov, komunikoi me Perandoreshën Jekaterina e Madhe. “Po shkoj”, ishin fjalët e “gjeneralisimit” ndërsa u nis për të sulmuar kështjellën më të fortë turke, atë të Izmailit në Danub.

Mehmeti e mori lajmin e mirë pas fitores 3-1 të Partizanit në derbin ndaj Dinamos në Superligë, në të njëjtën ditë kur Laçi mundi Tiranën 1-0 në Kurbin, duke i shtyrë festën e titullit, dhe kur Teuta u largua nga rreziku i rënies nga kategoria me fitoren 4-1 ndaj Kukësit. Java 31: Laçi-Tirana 1-0, Partizani-Dinamo 3-1, Teuta-Kukësi 4-1; Të shtunën, 16:45: Kastrioti-Egnatia, Vllaznia-Skënderbeu. Renditja: Tirana 66 pikë, Laçi 54, Partizani 46, Kukësi 46, Vllaznia 42 (-1), Kastrioti 40 (-1), Teuta 39, Egnatia 34 (-1), Dinamo 23, Skënderbeu 21 (-1).

Sfidanti.al