“Në futbollin shqiptar, ashtu si në çdo fushë tjetër, duhet një veting”. Këto ishin fjalët e presidentit të Kukësit, Safet Gjici, në një intervistë të kohëve të fundit, ndërsa u pyet për gabimet e gjyqtarëve. Edhe presidenti i Partizanit, Demi, pavarësisht se nuk e ka thënë, e ka miratuar në heshtje këtë dëshirë të kundërshtarit të tij. Këtu ditë që Ardian Takaj i Skënderbeut pritet të shkojë në Prokurori për çështjen e trukimeve, duket se fati i bosëve të futbollit shqiptar është i lidhur më shumë se kurrë me këtë institucion të shtetit.
Presidentët kanë edhe nevojë për t’u ndihmuar që të dalin nga një qerthull që e kanë krijuar vetë, por edhe kanë frikë se mos dikujt prej tyre i bie “llotaria” për keq. Kjo sepse, nëse ke punë me Prokurorinë, “llotaria” nuk është si ajo amerikane, por e një lloji tjetër. Edhe tifozët i kanë sytë pikërisht tek prokurorët, ndonëse njerëzit e thjeshtë në Shqipëri më shumë nënkuptojnë “të parin”, e kë tjetër përveçse kryeministrin Edi Rama.
Nëse Rama, nën presionin ndërkombëtar dhe me përkrahjen e tyre, do të bëjë trysni në prokurori që kjo të veprojë, atëherë lajme të mira mund të vijnë për futbollin shqiptar. Siç e thotë Gjici, “duhet veting”. Të presim nëse drejtësia do ta bëjë detyrën, se nëse do të kemi shpresë që këtë ta bëjë FSHF me Komisionin e saj të Etikës, vështirë se do të ndryshojë situata.
Sfidanti.al