Duhej të ishte luajtur në gusht, por u shty për tani. Do të luhet pikërisht sot finalja e Superkupës së Shqipërisë në futboll, dhe fati e deshi që të ishte Derbi më i vjetër në vend. Tirana e Vllaznia ndeshen në orën 19:00 në “Arenën Air Albania”, me objektiv të vetëm që të fitojnë trofeun e parë të sezonit. Në një kohë që Abisnet Superliga është e ndërprerë për shkak të Kupës së Botës, tifozët do të kenë mundësi të ndjekin një “copë” të futbollit vendas. Kryeqytetasve u mungojnë dy lojtarë si Qefalia dhe Toshevski, ndërsa trajneri Orges Shehi kërkon të tregohet i kujdesshëm për të përballuar lojën në krahë të shkodranëve. Shehi, në konferencën për shtyp përpara finales deklaroi se të dy ekipet janë ndërtuar për të fituar, dhe se kërkon që Tirana të marrë të treja trofetë e sezonit, duke nisur me Superkupën.
Tek Vllaznia po ashtu ka mungesa dhe dyshime. E sigurt është që nuk luajnë dy titullarë si Bulatoviç dhe Juriç, por edhe që futbollisti i rëndësishëm, Liridon Latifi mund ta nisë nga stoli. Gjithsesi, trajneri Mirel Josa ka një skuadër me mjaft alternativa të tjera. Tekniku tiranas e cilëson sfidën si një finale. Shpejt pas Superkupës rifillon edhe kampionati me ndeshjet e javës së 13-të në 11 e 12 dhjetor.
Formacionet e mundshme: Tirana (4-3-3): Bekaj, Husein (Gjumsi) , Najdovski, Behiraçe, Ismajlgeci, Aleksi, Deliu, Kallaku, Hasani, Patrik, Xhixha.
Vllaznia (4-3-3): Zogoviç, Kruja, Gurishta, Shehi, Hakaj, Alivoda, Boshnjaku, Jonuzi, Mala, Hoxhaj, Marku.
Sfidanti.al