Prag Partizani-Tirana, barazimi nuk i bën punë kujt në derbi!

Sërish pa tifozë, por përsëri mbetet sfida më e pritshme. Derbi i kryeqytetit është ndeshja kryesore e Superligës shqiptare dhe sonte në orën 19:00, Partizani e Tirana do të vendosen përballë njëri-tjetrit në “Arenën Air Albania”. Është sfida e fundit mes tyre këtë sezon, dhe të dyja skuadrat do ta luajnë me pretendime për të realizuar objektivat. Partizani, që ka qenë superior në derbi këtë vit me dy fitore e një barazim, synon titullin kampion duke pasur 58 pikë e duke qenë fare pranë kreut. Trajneri Ilir Daja ka arritur të përballojë situatën e vështirë pas dënimit nga FIFA në verë, dhe të tejkalojë parashikimet, ndërsa ndihet i qetë.

Tirana, nga ana e saj, ende është në pretendime për titull të paktën matematikisht, por objektivi më i mundshëm mbetet kualifikimi për  në Ligën e Europës. Trajneri Orges Shehi, përtej vështirësive në derbi këtë sezon, mendon se fitorja është afër. Të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren pasi barazimi nuk u bën punë për synimet e tyre. Të dy trajnerët do të mund të luajnë me formacionet kryesore, pasi as Partizani dhe as Tirana nuk kanë probleme të mëdha me dëmtimet apo pezullimet. Të kuqtë do të kenë boshtin nga kapiteni Hoxha, tek Mala, Asani e deri tek Çinari. Bardheblutë pritet të luajnë me mbrojtje me 3 lojtarë dhe me 3 lojtarë në fazën sulmuese. Gjyqtar i derbit do të jetë Eldorian Hamiti, stemë e FIFA-s, që drejtoi derbin e vjetshëm në korrik që përfundoi 1-1.

Formacionet e mundshme

Partizani (4-4-2): Hoxha, Mala, Bitri, Belica, Hakaj, Asani, Murataj, Broja, Bardhi, Zhunior, Çinari. Tr. Daja

Tirana (3-4-2-1); Bekaj, Vangjeli, Najdovski, Hoxhallari, Toshevski, Batha, Çelhaka, Ismailgeci, Danso, Torasa, Seferi. Tr. Shehi