Spektakli në tribuna nuk ka munguar kurrë, dhe pritet të jetë sërish i garantuar. Edhe pse jo plot e përplot, “Arena Air Albania” do të ketë një numër shumë të madh tifozësh për derbin e kryeqytetit në Abisnet Superligë, besohet mbi 15 000. Biletat janë shitur gjatë gjithë këtyre ditëve me ritëm të lartë, e deri të dielën në mbrëmje ishin blerë rreth 10-11 000 copë. Parashikimet e biletashitësve ishin se deri në orën 19:00 kur luhet Partizani-Tirana, do të jenë shitur edhe rreth 4 apo 5 000 të tjera. Kjo do të thotë se tifozët po e bëjnë të vetën dhe tani pritet që ta bëjnë dy skuadrat. Trajnerët Kolela e Shehi besohet se do të luajnë me theks sulmues, edhe pse frika nga humbja do të jetë e madhe. Italiani i të kuqve parashikohet të luajë me skemën 3-4-3, me Telushin të tërhequr prapa në mbrojtje, dhe me shumë emra që duhen konsideruar të rinj sepse kanë shumë pak kohë që luajnë bashkë.
Duket se tek Partizani nuk ka shumë dyshime për titullarët. Ndryshe është puna tek Tirana. Orges Shehi është thuajse e sigurt që do të luajë me skemën 3-5-2, ndërsa ka balotazhe në mesfushë. Toshevski dhe Hila pritet të synojnë formacionin, ndonëse më shumë pritet ta nisin nga stoli. Bardheblutë, kampionë në fuqi, cilësohen favoritë për suksesin edhe pse ndeshja luhet në fushën e kundërshtarit. Dy skuadrat kanë fituar nga një derbi këtë sezon, ndërsa janë pretendentët kryesorë për titull. Tirana kryeson Superligën me 40 pikë ndaj 37 të Partizanit.
Formacionet e mundshme
Partizani (3-4-3): Rexhepi Menish Sota Telushi Hadroj Matondo Rrapaj Buxhelaj Cara Mba Da Silva.
Tirana (3-5-2): Bekaj Behiraçe Najdovski Lulaj Haxhiu (Toshevski) Deliu Aleksi Lushkja (Hila) Përgjoni Hasani Patrik.
Sfidanti.al