Pero, mos harro fjalët e Gjicit: Ti mendo vetëm për golat, unë për paratë!

Duket sikur është kampionati i lindur për Pero Pejiç, dhe jo e kundërta, e cila ndodh rëndom me futbollistët. Pero edhe pse në një moshë që duhet të kishte menduar për gozhdën e famshme ku varen këpucët, 34 vjeçari, ndihet pa moshë për shkak të një toke pjellore me gola, edhe pse e varfër me spektakël.  Sulmuesi i Kukësit, është një misionar goli dhe kudo ku ka qënë nuk ka lënë vend për zhgënjim,me një valixhe me gola dhe sikur të kishte bërë një pakt me veten, për çdo gol të mësonte ndonjë fjalë shqip, do ta fliste për mrekulli gjuhën e vendit, ku ka gjetur lumturinë profesionale.

Dikur fliste më shumë me gola sesa me fjalë,  tani që edhe mbrojtësit kanë kuptuar trukun e tij para portës, sikur i është prishur ritmi i shpimit të portës. “ Më mungon fati dhe nuk kam aspak presion” – mundohet Pero të jetë i sinqertë, edhe pse ka dy ndeshje që nuk shënon, edhe pse tek Kukësi gjërat janë të prera shkurt: Pero, ti shiko golat, unë shikoj paratë! Janë fjalët e presidentit Gjici, ato që zakonisht lubrifikojnë ingranazhin e klubit verior.

Sfidanti.al