Një shprehje e vjetër arabe thotë “nuk mund t’i jepet ujë një deveje që nuk ka etje”. Kjo shprehje, që shkrimtari ynë Sabri Godo e përdori në romanin “Skënderbeu”, u kujtua në ndeshjen e Partizanit ndaj Bylisit, ku skuadra kampione u duk se nuk kishte aspak dëshirë për të fituar. Përfundoi 1-1 në “Selman Stërmasi”, në një sfidë ku ballshiotët merituan gjithçka, e madje mund të kishin marrë më shumë, ndërsa kryeqytetasve mund t’u kushtojë në garën për titull.
Mund t’i kushtojë në vazhdimësi edhe trajnerit Franko Lerda, për të cilin përflitej që përpara ndeshjes se ishte në pozita të vështira. Partizani u duk një ekip pa ambicie dhe i plogësht në një pjesë të madhe të ndeshjes, pavarësisht se rrezikoi me Asanin apo Çinarin, duke goditur edhe shtyllën, e duke u ndalur nga portieri mik, Isli Hidi.
Kur vendasit kaluan në epërsi falë autogolit të Peposhit, u duk se gjithsesi do të fitonin, por nuk ndodhi ashtu. Me një mbrojtje të pakujdesshme, të kuqtë nuk kishin asnjë siguri, dhe u ndëshkuan pikërisht në fund, në minutën e tretë shtesë. Afrikani Ntepe thjesht shtyu në rrjetë një top të ardhur nga krahu, i harruar nga kryeqytetasit. Një pikë që vlen shumë për skuadrën mallakastriote të drejtuar nga trajneri Dovedan, që tregon se di të luajë futboll.
Çfarë do të thotë kjo paraqitje për kampionët? Dyshimet janë për pakënaqësi ndaj trajnerit, ndërsa nuk dihet se cili do të jetë qendrimi i klubit. Pas 5 ndeshjeve të luajtura, Partizani ka 7 pikë, dhe vetëm 3 gola të shënuar.
Sfidanti.al