Partizani, një kompromis për të fituar titullin e parë në çerek shekulli!

Në maj të vitit 2016 Shqipëria nuk e ka shpallur ende kampionen e vet në futboll. Duhej thënë nuk e kishte shpallur, por e vërteta është se atëherë titulli ishte i Skënderbeut, ndërsa tani korçarëve iu hoq. Komisioni i Etikës i hoqi kurorën ish-kampionëve, por do të duhet dikush tjetër që këtë kurorë ta vendosë në një “kokë” të re, ose ta lerë pa zot në vitrinat e Federatës Shqiptare të Futbollit. Të shohim se çfarë do të bëjë Komisioni i Disiplinës, që mund të ketë tagrin për ta bërë Partizanin si Interin e vitit 2006, ose për ta bërë Superligën si Serinë A të vitit 2005, që nuk pati asnjë fitues.

Problemi i vetëm për FSHF-në nuk është “kurora”, por “paja” që e shoqëron atë. Partizani ka bërë me dije se do të kërkojë edhe 260 000 eurot që i takojnë skuadrës kampione për pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, diçka që të kuqtë nuk e bënë dot vitin e kaluar, të paktën kur e nisën aventurën europiane nga Liga e Europës. Pritet të ketë bisedime, pasi 260 000 euro janë një shumë e madhe, e cila, gjithsesi, duhet të jetë “e ngrirë” në llogaritë e UEFA-s. Është pikërisht shuma që duhej të kishte marrë Skënderbeu, dhe që nuk e mori sepse u përjashtua, ndaj edhe automatikisht qeveria europiane e futbollit mund t’ua japë të kuqve, qoftë edhe si “ngushëllim financiar” , pasi koha nuk mund të kthehet pas dhe Partizani nuk mund të luajë më në Championsin e vjetshëm. Gjithsesi, presidenti Demi do të ishte i kënaqur me titullin, që do të ishte i pari për të, qoftë edhe në tavolinë, do të ishte i 16-ti për klubin, dhe do ta bënte më të vogël trysninë mbi skuadrën për ta kërkuar në fushë titullin e sezonit në vazhdim.

Sfidanti.al