Partizani luan me “zjarrin” në Durrës, një portier i largon Europën!

A thua ky gol e largoi përfundimisht Europën? Partizani u duk i sigurt për fitoren në Durrës, por pikërisht në sekondat e fundit, në aksionin përmbyllës, e pësoi dhe nuk mori dot më shumë se barazimin ndaj Teutës. Autori i kësaj rrjete ishte ai që as mund të mendohej, portieri Moçka që braktisi portën e tij për të shënuar në portën tjetër.

Në një sezon të mallkuar të Superligës, kryeqytetasit mbetën edhe më prapa Kukësit, ndërsa duket shumë e vështirë që të mbërrijnë edhe Flamurtarin. Barazim 1-1 në “Niko Dovana” dhe vetëm 32 pikë në renditje për skuadrën e Sulejman Starovës, që vazhdon të thotë se luan më mirë se kundërshtarët, por pikët nuk i përgjigjen realitetit.

Partizani iu fal fillimisht portierit Alban Hoxha që priti penallti, ndërsa pak minuta më vonë në pjesën e parë kaloi në avantazh me Gerhard Prognin. Pas pushimit, ndeshja u duk e barabartë, të paktën përsa i përket rasteve, ndërsa gjyqtari lejoi 6 minuta shtesë, nga 4 që u sinjalizuan, gjë që ndihmoi durrsakët. Barazimi bëri që Teuta të ketë më shumë shanse për mbijetesë, në një duel të ashpër me Vllazninë.

Sfidanti.al