Partizani fiton “finalen” me Teutën në Durrës, titulli më pranë!

Një ndeshje e fortë, ku këtë herë arbitri nuk e bëri protagonistin, ndonëse dha fillimisht një penallti për Teutën e pastaj e tërhoqi vendimin. Partizani arriti maksimumin që kishte dëshiruar, fitoren në Durrës ndaj Teutës vendase duke e mbërritur në krye të renditjes së Superligës, e duke qenë në vend të parë falë ndeshjeve direkte. Nëse dy ekipet fitojnë dy ndeshjet e mbetura, Partizani del kampion dhe Teuta nënkampione.

Të kuqtë e trajnerit Daja duhet thënë se e merituar fitoren, sidomos për atë që dhanë në fushë në pjesën e dytë, duke pasur disa raste të pastër për gol, e duke goditur shtyllën, ndërsa kishin kaluar në epërsi që në të parën. Sulmuesi shkodran Eraldo Çinari, të cilin të kuqtë nuk e patën në dispozicion deri në janar për shkak të dënimit të FIFA-s, realizoi me kokë në 24’. Durrsakët e trajnerit Edi Martini ishin më mirë në 45’ e para, por pas pushimit nuk e përballuan dot lojën dhe ritmin e kryeqytetasve.

Në ndeshjet e tjera, Laçi e Vllaznia mbetën gjithashtu në pretendime për titull, duke qenë vetëm 2 pikë larg vendit të parë. Kurbinasit triumfuan sërish në kryeqytet me Tiranën, 1-0, me golin e shënuar pas pushimit nga Mentor Mazrekaj. Interesant fakti se dy skuadrat fituan jashtë fushe të dyja ndeshjet, dhe u mundën në shtëpi. Vllaznia mundi 1-0 Kastriotin në “Loro Boriçi”. Edhe pse krutanët duhet thënë se bënë më shumë, sërish golin e vetëm e shënuan vendasit me anë të Dilaverit 12 minuta para fundit. Skënderbeu mundi Apoloninë 2-0 dhe përfitoi edhe nga humbja e Bylisit me Kukësin, duke u ngjitur në vendin e katërt nga fundi, jashtë zonës së “ftohtë”.

Java 34: Teuta-Partizani 0-1, Tirana-Laçi 0-1, Vllaznia-Kastrioti 1-0, Kukësi-Bylis 2-1, Skënderbeu-Apolonia 2-0.

Renditja: Partizani e Teuta nga 62 pikë, Laçi e Vllaznia nga 60, Tirana 54, Kukësi 45, Skënderbeu 34, Kastrioti 31, Bylis 30, Apolonia 20.

Java 35: Partizani-Vllaznia, Laçi-Teuta, Apolonia-Tirana, Skënderbeu-Kukësi, Kastrioti-Bylis.

Java 36: Bylis-Partizani, Teuta-Apolonia, Vllaznia-Laçi, Tirana-Skënderbeu, Kukësi-Kastrioti.

Sfidanti.al