Derbi po kthehet sërish me bojë të kuqe. Pas një dominimi të Tiranës sezonin e kaluar, duket se Partizani ka kthyer gjithçka në favorin e vet duke fituar sfidën e dytë radhazi të kryeqytetit, e duke lënë pas krizën e rezultateve. Përfundoi 2-1 në “Selman Stërmasi”, në fushën e Tiranës, ku skuadra e trajnerit Ilir Daja pati epërsi duke luajtur më mirë sesa kampionët në fuqi.
Pavarësisht se vinte pas 3 rezultateve aspak pozitive, sidomos pas humbjes me Skënderbeun dhe barazimit me Apoloninë, ekipi i kuq e luajti derbin në mënyrën e duhur. Kaloi në epërsi me golin e shënuar nga mbrojtësi Belica, dhe nuk u trondit kur Tirana arriti barazimin në të kundërt me rrjedhën e lojës. Një moment magjie i Hoxhallarit nuk u ndal dot nga portieri i kombëtares, Alban Hoxha. Gjithsesi, pas pushimit, ekipi mik mori atë që meritoi, pra fitoren.
Golin e shënoi Jurgen Bardhi, një nga më të mirët në fushë, ndërsa të dyja skuadrat patën mundësi për të shënuar më pas. Asani e Melo ishin pranë golit për Partizanin, dhe Vairinen pati shansin për Tiranën. Me këtë fitore, të kuqtë u ngjitën në vendin e dytë në renditjen s Superligës me 42 pikë pas 24 javësh, ndërsa tiranasit janë në vend të pestë me 35 pikë.
Në krye sidoqoftë është Laçi me 44 pikë. Skuadra kurbinase e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro nuk gaboi këtë herë duke marrë fitoren 2-0 në fushën e Skënderbeut. Në Korçë, gjithçka u zgjidh në pjesën e dytë ku Mazrekaj shënoi fillimisht me fat. Më pas, Shehu vulosi rezultatin 2-0 dhe kryesimin.
Sfidanti.al