Një tjetër përmbysje titulli, Tirana ia del me Kukësin!

Ishte “macja e zezë” deri tani, por ka filluar “të zbardhet”. Kukësi nuk është më aq i frikshëm për Tiranën dhe skuadra e madhe nga kryeqyteti arriti ta thyente me një përmbysje mbresëlënëse. “Trimëria” bardheblu u realizua në vetëm 3 minuta, duke përmbysur humbjen në fitore, e duke marrë kreun e renditjes. Një tjetër bast i fituar për trajnerin Emanuel Egbo, pas barazimit aspak të keq ndaj Skënderbeut, edhe pse ai solli kritika (!!!) nga presidenti Refik Halili.

Kukësi u duk përsëri pranë fitores, dhe shumëkush po mendonte sesi do të pritej kjo humbje tek Tirana, por jo më kot nuk duhet folur para kohe. Kjo skuadër nuk dorëzohet kurrë, dhe nuk e ka bërë as kur ka pësuar gol nga Partizani, Bylisi, Teuta, Skënderbeu apo Kukësi. Kristi Vangjeli shënoi në portën e vet në 52’ duke i dhënë epërsinë skuadrës së trajnerit Shpëtim Duro, por pranë fundit Batha (85’) dhe Torasa (88’) siguruan fitoren për Egbonë. Tirana është tani në vend të parë me 44 pikë ndaj 42 të Kukësit, ndërsa Partizani mund të afrohet në 4 pikë me kreun nëse fiton ndeshjen e kësaj jave ndaj Bylisit, sfidë që do të luhet nesër.

Sfidanti.al