Nga Maribori tek titulli, rrugëtimi i madh i Partizanit të Skënder Gegës!

U bind se mund t’ia dilte pikërisht këtë ditë. Në 19 korrik të vitit të kaluar, Partizani luajti në fushën e Mariborit në Ligën e Europës, dhe trajneri Skënder Gega ndjeu si kishte në dorë skuadrën e duhur. Përfundimi ishte humbje 0-2 dhe eleminim, por loja e zhvilluar në Slloveni, në Veriun e Ballkanit, ishte e tillë që e bëri Gegën të mendonte se mund ta fitonte titullin në Shqipëri.

Në të vërtetë, ai nuk premtoi asgjë, kur u prezantua në stolin e kuq, në krah të drejtorit sportiv, Olsi Rama. “Partizani hyn në çdo sezon me pretendime, por nuk duam që të flasim për titullin, veçse për mënyrën sesi do të punojmë për të arritur aty, – tha Gega, – jam i bindur se ekipi ka potencial, por duhet të ndryshojmë mjaft gjëra në skuadër dhe në klub”.

Skuadra që pati në dorë nuk shkëlqente nga emrat, por për Gegën duket se ishte më mirë kështu. Ai nisi stërvitjen në krye të një grupi djemsh të rinj që kishin dëshirë të stërviteshin e të vraponin, dhe rezultatet u dukën shpejt. Partizani nuk u dëmtua aspak nga humbja e javës së parë në Korçë, dhe as nga dënimi i ardhur nga Disiplina, pas sherrit të tifozëve.

Skema dukej e thjeshtë, mbrojtje e fortë, me ndihmën e mesfushës, si dhe një katërshe sulmi që vraponte dhe lëvizte shumë. Pavarësisht fitoreve që po vinin radhazi, presidenti Demi nuk deshi të entuziazmohej para kohe. “Është herët të flasim për titullin, – u shpreh numri 1 i klubit, me ironi, – për titullin le të flasin ata të mëdhenjtë, Korça”.

Gjithsesi, një skuadër jo aq shumë e talentuar, me kaq shumë ndryshime krahasuar me një vit më parë, dhe me presionin e 25 viteve pa titull, nuk mund të bëhej fituese aq shpejt, dhe kjo u kuptua nga humbja me Skënderbeun në kryeqytet, në 29 tetor. Gjithsesi, siç Gega e pohoi disa herë, aftësia e Partizanit ishte se reagonte pas çdo disfate, një provë e qartë karakteri.

Sukseset ndaj Tiranës apo Kukësit ishin preludi, ndërsa vula u vu në revanshin ndaj “maces së zezë”, skuadrës korçare, brenda në Korçë, në fund të janarit të këtij viti. Kjo, edhe pse Partizani nuk pati përforcime të bujshme në dimër. Ndryshe nga Kukësi, drejtuesit nuk shpenzuan dhe u krijua ideja se kjo do ta dëmtonte skuadrën në misionin e saj të vështirë.

Ndodhi e kundërta dhe diferenca me ndjekësit u rrit gjithnjë e më shumë. Natyrisht, Partizani nuk jetonte në botën e çudirave, dhe nuk ishte i imunizuar nga dështimet. Kjo u kuptua mirë pas eleminimit të papritur nga Kupa e Shqipërisë, me dy humbje ndaj Luftëtarit, që ende rrezikon të bjerë nga kategoria. i tillë është futbolli, të paktën pa dashur t’u hyjmë teorive konspirative.

Fitorja e titullit ishte synimi kryesor, dhe arritja e tij fshinte çdo dëshpërim. Çfarë e dalloi Partizanin e Gegës nga ekipet e këtyre 26 viteve, që nuk ia dolën? Mund të thuhet se elementi kryesor ishte fryma e grupit, uniteti absolut, dhe mentaliteti për të sakrifikuar maksimalisht për njëri-tjetrin.

Këtu një rol vendimtar pati vetë trajneri, i njohur si njeri me karakter të fortë dhe integritet, që nga koha kur luante futboll dhe dilte kampion në 1987, një nga titujt e fundit të Partizanit. Padyshim, pati edhe fat, ashtu siç pati edhe qetësinë për të mos u marrë me arbitrat, diçka që ndoshta e kishte zgjidhur më së miri klubi me instancat e tij.

Sfidanti.al