Duhen mbajtur mend mirë sepse nuk ndodhin shpesh. Që një trajner të shkëlqejë në stolin e një ekipi shqiptar, të kalojë dy raunde në kupat e Europës, pastaj të largohet nga detyra, e të kthehet pas më pak se 8 muajve, kjo është vërtet e rrallë. Po ndodh me Shpëtim Duron, njërin nga teknikët më të mirë sot për sot në vend, i cili do të zerë vendin e lënë bosh nga Mirel Josa. Presidenti Pashk Laska ka bërë zgjedhjen e tij, e duket se është menduar për disa javë, të paktën sipas burimeve pranë klubit. Josa u shkarkua pas humbjes me Partizanin në Superligë, dhe besohet se motivi ka qenë sepse ekipi ka dalë jashtë objektivit për titullin. Besohet se trajneri tiranas mori goditje që pas humbjes 1-4 me Tiranën në kampionat disa javë më parë.
Gjithsesi, Laçi është në zonën e Ligës së Konferencës si dhe fare pranë finales së Kupës së Shqipërisë pas fitores 2-1 në Durrës me Teutën. Josa e mori ekipin në vendet e fundit, e tani e lë në vendin e dytë, një tjetër fakt që e bën shkarkimin të çuditshëm. Me gjasë, vetë trajneri mund të jetë lodhur sepse flitet se mund të ketë pasur ndërhyrje në punët e tij profesionale. Kjo besohet se ishte edhe arsyeja e largimit të Shpëtim Duros në 16 gusht të vitit të kaluar, pak ditë pas suksesit të dyfishtë në Ligën e Konferencës, ku Laçi eliminoi Podgoricën malazeze në raundin e parë, dhe Universitatean e Krajovës së Rumanisë në raundin e dytë.
Sfidanti.al