Ndeshje çdo tri ditë, një kampionat për t’u hequr qafe

Aq shumë janë bezdisur nga futbolli, saqë dejtuesit e FSHF-së kanë vendosur ta heqin qafe sa më shpejt produktin e tyre. Duket se titullarët, kohët e fundit kanë humbur një akses, ta mbajnë të burgosur çdo informacion, brenda mureve të institucionit dhe tani që ka rrjedhje, mëkatari është sigurisht ky sport i pabesë. Në një kohë që po flitet për skandale të njëpasnjëshme, kampionati duket se është kthyer thjeshtë në një garë për t’u zhvilluar dhe drejtuesit e kanë gjetur një formulë për t’i afruar fundin. Si asnjëherë tjetër edhe në Shqipëri do të luhet futboll çdo tri ditë dhe i gjithë aktiviteti parashikohet të mbyllet që në maj.

E çuditshme, pasi këtë verë nuk ka asnjë aktivitet të rëndësishëm futbollistik, qoftë edhe për ta ndjekur nga ekrani. Ndërsa justifikimi që erdhi, për nga cilësia është nga ato që gjenden gjithmonë në FSHF, sa herë që nxitojnë. Me këtë ngjeshje kalendari duan të evitojnë  temperaturat e nxehta të stinës së verës. Ndërsa tani, në këto temperature të ulta, mot me lagështirë dhe terrene delikate, mund të luhet pa asnjë problem. Ndërsa veç Starovës së Partizanit, askush tjetër nga të interesuarit nuk ka protestuar, për këtë deformim tjetër të edicionit. Skënderbeu duhet të jetë më i penalizuari, pasi për një javë duhet të ndeshet me Tiranën, Kukësin dhe Partizanin, por sërish heshtje… apo të gjithë kanë atë udhëheqje që meritojnë?