Dikush paska pyetur Josën në prag të ndeshjes me Skënderbeun: “ Mirel, nëse Tirana shënon dhe në fund fiton me Skënderbeun, a do të guxonit të bënit festë në tokën ku jeni shpallur 3 herë kampion”. Një pyetje e gabuar për një trajner që ka treguar vetpërmbajtje dhe në momentet më euforike, kur të tjerët fluturonin në qiellin e shtatë. Ndofta kjo pyetje cinike mund të ketë marrë shkasë nga një histori e kaluar, e cila nuk harrohet lehtë, kur Shkëlqim Muça ishte trajner i Skënderbeut, ka festuar me stilin ‘alla Bubka” ( si në një kërcim me shkop drejt tribunës) pas golit që pati pësuar Tirana. Një gjest kampion për korçarët, një gjest amoral për bardheblutë, ngaqë loja e gjesteve nuk ka barazim, por të kënaqur dhe të pakënaqur.
Në prag të ndeshjes Skënderbeu-Tirana, ku fantazia të dërgon në një 90 minutësh me histori rivaliteti dhe nervash të tendosura, kujtohen edhe disa fjalë të Josës që kanë bërë “xing” në qytetin ku ka shijuar kulmin e karrierës: “ Rikthimin tek Tirana e kam shijuar edhe më shumë se shijen e titullit kampion”. Një frazë që ka prekur në zemër shpirtin bardheblu, sidomos tifozët që kultivojnë filozofinë tradiconale të “njeriut të familjes”, por kumbimi i tyre ka patur shije të hidhur në Korçë, një shije të ngacmuar nga dyshimi se titulli kampion nuk mund të krahasohet me aromën e një rikthimi në klubin e lindjes sportive. Në futboll dashuritë nuk janë tabu dhe kjo e ndez edhe më shumë “zjarrin” e kësaj ndeshjeje, e cila duhet fituar me çdo çmim nga Skënderbeu që është kapur prej fyti nga një serial ndeshjesh pa shkëqim, që mbajnë damkën e barazimeve. Për Tiranën, një fitore në Korçë do të ishte një arsye më shumë për të besuar se blerja më e mënçur e sezonit nuk ka qënë futbollistët afrikanë, por njeriu i stolit, Mirel Josa.
Sfidanti.al