Peskara nuk ka plan të largojë Rei Manajn, por nëse ky i fundit bën ndonjë propozim konkret në janar, klubi është i gatshëm të dëgjojë alternativat që i vihen përara në tavolinë. Ky konfirmim vjen nga presidenti i klubit italian, Daniele Sebastiani, i cili për “FcInterNeës.it”, fillimisht ka treguar se problemet mes sulmuesit dhe trajnerit Odo i përkisnin të kaluarës.“Po, për ne nuk ka asnjë lloj problemi. Gjithçka mori fund, edhe për faktin se Rei është një djalosh, vetëm 19 vjeç dhe nuk mund të ndëshkosh ashpërsisht një të moshës së tij. Ajo që ndodhi javë më parë ka kaluar, tani të shohim përpara”, tha ai.
Gjithsesi, Manaj nuk po luan aq rregullisht dhe nga kjo situatë kanë filluar të lindin zëra për një largim të mundshëm të tij, drejt një ekipi ku mund të kthehet në titular, apo kalimi tek Interi. “A do rrijë këtu deri në fund? Për mua po, por pastaj nëse ai do të na propozojë ndonjë lloj tjetër kërkese, si për shembull të largohet për të luajtur më shumë, do të shohim…”, ishin fjalët e drejtuesit të Peskarës. Ndërkohë, klubi po kalon një moment shumë të vështirë dhe tifozëve u ka mbaruar durimi, aq sa janë bërë agresivë, siç është rasti pas ndeshjes së fundit, kur tentuan të sulmonin futbollistët.