Guardiola sypatrembur: Dështim? Ferguson priti 11 vjet për titullin!

Ka një gabim në llogari, por gjithsesi shprehja e tij qendron. Pep Guardiola nuk u kursye aspak, por kaloi në kundërsulm kur iu bë një pyetje e vështirë, pas dy humbjeve radhqazi në Premier Ligë. A është një dështim sezoni i tij deri tani tek Mançester Siti? Kjo ishte pyetja, dhe përgjigja nuk vonoi. “Ju më flisni për dështim, por ju e dini se Ferguson priti 11 vjet për të dalë kampion tek Mançester Junajtid, – tha Pep, – po flas për idhullin tim. Liverpuli, një klub me emër të madh, ka shumë vite pa fituar. Më jepni kohë, djem. Shpresoj që ta kem kohën e nevojshme, pasi në Angli është shumë e vështirë për trajnerët”. Logjika është në rregull, por Guardiola gabon vetëm vitet që u desh të priste Fergi, dhe që ishin 7 (1986-1993).
Gjithsesi, trajneri i Sitit, nuk flet me sytë mbyllur. “Në futboll duhet kontrolluar veprimi i kundërshtarit, duhet kontrolluar topi i dytë, – thotë ai, – por, këtu topi rri shumë në ajër dhe është e vështirë. Megjithatë, unë duhet të mësoj që të mos bëj të njëjtat gabime. Ne duhet të mësojmë, ndryshe nuk mund të mbijetojmë”. Guardiola megjithatë nuk dorëzohet. “Do të vazhdojmë të luajmë ashtu siç e ndjej unë futbollin, – thotë ai me vendosmëri, – ndaj Çelsit nuk meritonim të humbisnim, por të fitonim, dhe nëse do të kishte ndodhur kështu, tani do të ishin në krye të renditjes”.

Sfidanti.al