Kavani nuk i mjafton PSG-së, kërkohen Ikardi, Baka e Tevez!

Edinson Kavani ka qenë gjithnjë një sulmues i madh, por ja që nuk po e mban dot i vetëm peshën e Paris SG. Skuadra e madhe franceze është në vështirësi sidomos në kampionat dhe trajneri Emeri ka biseduar me drejtuesit për të pasur një sulm më të fuqishëm. Si zëvendësues të Zllatan Ibrahimoviçit, shihen emra të tillë si Mauro Ikardi, Karlos Baka dhe Karlos Tevez. Kapiteni i Interit, kolumbiani i Milanit dhe argjentinasi do të tentohen (kuptohet vetëm njëri prej tyre) që në janar.
Shqetësimi kryesor i PSG-së nuk është mungesa e efikasitetit të Kavanit, përkundrazi. Uruguajani ka shënuar 16 gola në ligën franceze duke qenë shënuesi më i mirë, dhe po ashtu është golshënuesi i dytë më i mirë në Champions. Problemi është që Kavani është vetëm dhe frika është e madhe nëse ai dëmtohet. Tevez, ndoshta do të ishte alternativa më e mirë sidomos duke pasur parasysh karakterin, por edhe Ikardi do të ishte një zgjidhje e madhe. Në Paris nuk mungojnë paratë, pritet vetëm të shihet çdo të ndodhë në janar.

Sfidanti.al