“AC Milan njofton se ka ndërprerë në mënyrë reciproke kontratën me sulmuesin Divock Origi. Klubi i uron lojtarit gjithë të mirat në të ardhmen”. Kjo deklaratë e shkurtër zyrtare i dha fund aventurës te kuqezinjtë të ish-lojtarit të Liverpoolit, i cili mbërriti si transferim i lirë në verën e vitit 2022.
Ishte një përvojë krejtësisht negative, por edhe shumë e kushtueshme për italianët, të cilët, siç raporton Calcio&Finanza, kanë shpenzuar plot 13.8 milionë euro në komisione dhe paga bruto gjatë tre viteve e gjysmë të fundit.
Kjo përkthehet, duke pasur parasysh se sulmuesi belg ka luajtur vetëm 36 ndeshje, me 382.2 mijë euro për ndeshje, 11,592 euro për minutë dhe plot 6.88 milionë euro për gol (ai shënoi vetëm dy gola për kuqezinjtë).

