Plot tri ndeshje pa fitore, dhe zbritje në renditje. Kukësi nuk doli dot më shumë se barazim me Teutën, në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe mbeti në vendin e pestë në Superligë, duke humbur shansin për të qenë i treti.
Nuk është një rënie dramatike, pasi skuadra e trajnerit Cungu ka 21 pikë pas 13 javëve, dhe është vetëm 1 pikë larg Teutës e Laçit, por golat dhe fitoret janë shumë të vështira për kuksianët.
E vërteta është se ekipi që quhej vendas ishte gjatë gjithë kohës në sulm, duke dominuar me lojë, por pa qenë i saktë para portës. Madje pati protesta për një rrjetë të realizuar nga Rezhinaldo në pjesën e parë, kur ishin në avantazh durrsakët. Goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pamjet me përsëritje treguan se ai mund të cilësohej i rregullt.
Teuta u tregua cinike, duke realizuar në një nga aksionet e pakta, sërish me goditje dënimi, ashtu siç bëri edhe ndaj Flamurtarit. Përpjekjet e Kukësit sollën vetëm barazimin, menjëherë pas pushimit, por jo më shumë se kaq. Këtij ekipi i mungon diçka, dhe pyetja është çfarë.
Trajneri Cungu mendon se dëmtimet kanë prishur ekuilibrin dhe kanë ndryshuar skemat e lojës, ndërsa tek lojtarët ka presion të madh për rezultatin.
Duket se këtë vit nuk mund të plotësohet dëshira e presidenti Gjici për të luftuar për titull, ndërsa duhen bërë mirë llogaritë me Teutën, Laçin dhe Flamurtarin për kualifikim në Ligën e Europës.
Sfidanti.al