Kukësi shpëton ndaj Flamurtarit, ndihmon Skënderbeun të shkëputet

Ishte e Skënderbeut java e 18-të e Superligës, për ndeshjet e luajtura në orën 13:00. Korçarët fituan në Shkodër ndeshjen që sipas kalendarit duhej të ishte në fushën e tyre, ndërsa Kukësi i hoqi fitoren nga duart Flamurtarit vetëm pesë minuta para fundit. Rezultatet 4-1 dhe 1-1 në Shkodër e në Kukës bënë që Skënderbeu të ngjitej në kuotën e 40 pikëve ndaj 32 të Flamurtarit, ndërsa Kukësi të mbetej në vendin e tretë me 29.

Skënderbeu-Vllaznia në “Loro Boriçi” pati surprizën e vetme kur shkodranët kaluan në epërsi me anë të Berishës në minutën e 6-të, por të besuarit e trajnerit Ilir Daja nuk është se u tronditën. Shënuan radhazi në minutat 32-të me Vangjelin, 61-të me anë të Lilajt me penallti, Muzakës në 75’ dhe Xhejmsit dy minuta para fundit.

Në “Zeqir Ymeri” ndeshja ishte shumë e fortë, por ndoshta jo aq shumë tërheqëse. Danilo Alvesh shënoi një tjetër gol, pas atij ndaj Partizanit në Kupë, duke kaluar vlonjatët e Duros në epërsi në 41’. Kuksianët e Pakultit u përpoqën shumë, ndërsa kishin goditur shtyllën më herët. Në 83’, Bakaj shfrytëzon një 11-metërsh për të barazuar rezultatin, ndërsa miqtë patën më përpara një rast shumë të mirë për 2-0.

Barazim pa gola dy ndeshjet e tjera. Lushnja e rilindur pas barazimit në Durrës, u mbaj në barazim 0-0 në fushën e saj ndaj Luftëtarit në formë, dhe po 0-0 doli takimi Laçi-Teuta.

Renditja: Skënderbeu 40, Flamurtari 32, Kukësi 29, Laçi 28, Kamza 26 (-1), Partizani 24 (-1), Luftëtari 23, Teuta 17, Vllaznia 15, Lushnja 10.

Sfidanti.al