Kukësi nuk gabon kur ka Pejiçin, mund Laçin dhe kryeson Superligën!

Thuajse gjithmonë vendos ai. Pero Pejiç ishte edhe këtë herë shpëtimtari I Kukësit, duke I dhënë tri pikë me shumë vlerë ndaj Laçit. Siç edhe ishte parashikuar, skuadra kurbinase u tregua një rrezik I madh për vendasit, por sulmuesi kroat u erdhi në ndihmë të vetëve sa herë iu kërkua ndihma. I kaloi në avantazh në fund të pjesës së parë, dhe pastaj shënoi përsëdyti kur Laçi arriti të barazonte rezultatin.

Pejiç e riktheu ekipin e tij në krye të renditjes së Superligës, me 65 pikë, po aq sa Partizani, veçse me golaverazh më të mirë. Vetë sulmuesi u shkëput edhe më shumë në vend të parë të klasifikimit të golshënuesve me 22 rrjeta, gjysma e atyre që ka shënuar gjithsej Kukësi.

Gjithsesi, skuadra mike pati shanset e veta. Jo vetëm barazoi rezultatin me të nisur pjesa e dytë, por edhe mund të kishte bërë më shumë. Në minutën e 60-të, Mensa hyri në zonë dhe pati një rast të pastër, por u rrëzua dhe pretendoi se duhej të kishte fituar një penallti. Gjyqtari Kridens Meta nuk ia plotësoi detyrën, dhe natyrisht që pritet të ketë polemika.

Nuk pati të papritur në Kukës, por pati në Shkodër. Vllaznia në mënyrë të pamendueshme barazoi 1-1 në fushën e vet me Korabin e rënë nga kategoria. Golit të Gurishtës iu përgjigj Prençi dhe shkodranët do ta kenë të vështirë të arrijnë vendin e katërt.

Kur duhen edhe 5 ndeshje deri në përfundim të kampionatit, java e ardhshme ka në program sfidën direkte Partizani-Kukësi, që mund të vendosë jo pak për titullin.

Sfidanti.al