Euroliga nuk do të ketë 3 ekipe turke në Finale, ndoshta vetëm një!

Katërshja Finale e këtij viti në Euroligë mund të vendoste një rekord më vete. Plot tri skuadra turke kishin mundësinë që të kualifikoheshin në fazën përfundimtare me sistem grumbullimi, që do të zhvillohet në Arenën kryesore të basketbollit të Stambollit. Ky skenar u prish dhe tani ekzston rreziku që vetëm Fenerbahçe ta mbrojë nderin e Turqisë brenda në tokën e saj. Nënkampionia e Europës në fuqi u kualifikua edhe pse në kushte të pafavorshme ndaj Panathinaikosit, ndërsa dy ekipet e tjerë nuk u treguan kaq të fortë.

Darushafakaja u eleminua përfundimisht nga Reali, madje me dy humbje në Stamboll, edhe pse dy përballjet në Spanjë kishin përfunduar 1-1. Madrilenët e trajnerit Lasa, kampionë të Europës dy vjet më parë,do të synojnë “La Decima”-n, pra trofeun e 10-të të Euroligës. Ata fituan ndeshjen e katërt 89-78 jashtë fushe dhe fituan serinë çerekfinale 3-1. Sergio Jul shënoi 17 pikë, Entoni Randolf e Trei Tompkins nga 15 dhe Xhejsi Karrol shtoi 12 pikë. Adoleshenti Luka Donçiç shënoi 11 pikë e dha 7 asistë, ndërsa Gustavo Ajon kapi 8 topa në tabela.

Nuk pati fat më të mirë Anadolu Efes, që nuk mundi ta eleminonte Olimpiakosin. Skuadra greke triumfoi 74-62 në Stamboll dhe tani do të luajë ndeshjen e pestë në fushën e saj, në Greqi. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme në Arenën “Abdi Ipekxhi” ku ndodheshin mbi 11 000 tifozë fanatikë, por ekipi i tyre nuk ia doli. Në finale, janë kualifikuar edhe Fenerbahçe dhe CSKA e Moskës.

Sfidanti.al