Tirana dhe Partizani jo pa vështirësi, arritën të sigurojnë fitore shumë të vuajtura duke mbyllur një raund tjetër që i projekton të kuqtë gjithmonë e më shumë në pozitat kryesuese, momentalisht ndjekës ndaj Egnatias por me një ndeshje më pak, atë të javës së parë ndaj Teutës që nuk ka ende një datë dhe duket se është lënë tërësisht në harresë për shkak të kalendarit të ngjeshur.
Realizimi i Taipit në frymën e fundit i jep Abilaliajt suksesin e tretë në po kaq ndeshje por buzëqeshje ka edhe në kampin bardheblu ku i përhershmi Hasani i jep suksesin e parë trajnerit Ahmataj. Mbyllja e këtij raundi ka edhe një tjetër kryefjalë, Vllazninë në kaos të plotë. Osmani ende pa shkelur në Shkodër përballet me një ambjent tërësisht të demotivuar dhe barazimi me Erzenin është një sinjal i qartë për shkallën e lartë të infeksionit në kampin kuqeblu ku tekniku nga Maqedoia e Veriut me shumë gjasë duhet të bëjë një ndërhyrje të thellë dhe të dhimbshme.
Nga Pirro Bardhyli