Një trajner thoshte sot duke qeshur se, “kur i thua dikujt se kam djalin futbollist, pyetja që të bëjnë është se “me cilin trajner e ke”, dhe pasi ia thua, të përgjigjen “e njoh unë, do që t’i them ndonjë fjalë?”” Një tjetër njeri i futbollit, pak javë më parë, rreshtonte pretendimet që, sipas tij, klubet ia kishin paraqitur Federatës. “Unë dua titullin”, ishte kërkesa e njërit, “unë dua patjetër Europën”, thoshte tjetri, “Europën e dua edhe unë”, hidhej presidenti i tretë.
Nuk dihet saktë sesa ndikojnë këto “ndere” dhe këto kërkesa paraprake, në mënyrën sesi përfundojnë ndeshjet në Superligë, por e vërteta është se, siç thotë populli, “ku ka zë, nuk është pa gjë”. Në vendin e parë është Partizani që është mundur dy herë në dy ndeshje nga Skënderbeu, por ndodhet 4 pikë para. Në vend të dytë është Skënderbeu që është mundur dy herë në dy ndeshje nga Teuta, por është sërish dy pikë mbi durrsakët.
Kështu me radhë mund të analizohen edhe ekipet e tjerë, ndërsa sipas asaj që duket, Partizani është për titull (një fjalë ishte që edhe Laçi e pretendon trofeun maksimal), Skënderbeu ndoshta është ose nuk është, pasi nuk i dihet vendimit të KAS-it, Kukësi, Teuta e Flamurtari synojnë Ligën e Europës. Tirana për momentin ka hallin më të madh, se rrezikon Superligën, por të mos harrojmë se magjia e futbollit ishte e tillë dy vjet më parë, që me njërën dorë e hodhi në Kategorinë e Parë, dhe me dorën tjetër, e fluturoi në Europë duke i dhënë Kupën e Shqipërisë.
Sa për rezultatet, Luftëtari-Kukësi 0-1 (Etemi 88’), Skënderbeu-Teuta 0-1 (Kamara 30’). Renditja: Partizani 34 pikë, Skënderbeu 30, Teuta 28, Kukësi 27, Laçi 25 (-1), Flamurtari 22 (-1), Luftëtari 13, Tirana 11, Kamza 8 (-1), Kastrioti 7 (-1).
Sfidanti.al