Flamurtari i fal vendin e dytë Kukësit, vlonjatët akuzë arbitrit!

U bë e zakonshme që vendimet e rëndësishme të merren kundër tyre. Vlonjatët u ndjenë edhe një herë të vjedhur kur në minutën e parafundit, pretenduan të kishin shënuar një gol, që nuk u quajt i tillë nga gjyqtarët e ndeshjes. Topi që i shpëtoi nga duart portierit të Teutës, u përplas tek një lojtar i Flamurtarit dhe më pas u largua nga një mbrojtës. Debati ishte nëse topi e kishte kaluar apo jo vijën fatale, ndërsa momenti ishte vërtet tepër i dyshimtë. Gjithsesi, momentet e dyshimta thuajse kurrë nuk jepen në favor të kuqezinjve të presidentit Idrizi dhe trajnerit Duro.

Ndeshja në stadiumin “Flamurtari” përfundoi 0-0 duke e zbritur skuadrën vlonjate në vendin e tretë në renditje, pas fitores edhe të Kukësit në Laç. Vendasit e patëm shumë të vështirë edhe sepse ishin pa tifozë, pas dënimit me 1 ndeshje të stadiumit nga FSHF, për shkak të parullave të mbështetësve të zjarrtë të Flamurtarit kundër Skënderbeut dhe kundër Federatës.

Teuta luajti shumë e organizuar në Vlorë, duke e merituar pikën e marrë, gjithnjë pa marrë në konsideratë momentin e dyshimtë në 89’. Durrsakët krijuan edhe ata raste, duke mos ia lënë iniciativën vetëm vendasve, ndërsa nuk lejuan që të humbasin për herë të dytë ndaj Flamurtarit, pas 0-2 të pësuar në fazën e parë në fushën e tyre.

Më herët, Kukësi triumfoi 1-0 në Laç, me golin e shënuar nga mbrojtësi i qendrës, Shameti, që në minutën e 4-ët. Vetë Shameti preku topin me dorë në fund të pjesës së parë, dhe gjyqtari Meta i dha penallti kurbinasve, por ata e humbën. Suksesi e ngjiti Kukësin në vendin e dytë në renditje me 22 pikë nda 21 të Flamurtarit, ndërsa Skënderbeu është i vetëm me 27, edhe pa ndeshjen në kryeqytet ndaj Partizanit.

Sfidanti.al