Shqipëria është vendi i çudirave, dhe kjo nuk ishte aspak e vogël. Vetëm rreth 7 orë përpara finales së Kupës së Shqipërisë në “Arenën Air Albania”, Ministria e Shëndetësisë denjion të lajmërojë se lejon që në stadium të lejohen 1 000 spektatorë. Rreth orës 13:00, Federata Shqiptare e Futbollit publikoi lejen e dhënë nga autoritetet qeveritare shëndetësore, ndërsa kërkesa e saj për lejimin e tifozëve ishte bërë rreth 2 javë më parë.
Finalja mes Skënderbeut e Vllaznisë luhet sot në orën 19:00, ndërsa në 18 maj u përcaktua vendi dhe ora ndeshjes. Biletat do të nisin të shiten në orën 14:30 në biletarinë tek stadiumi “Selman Stërmasi” dhe tek Dyqani i FSHF-së në Rrugën e Elbasanit. Kjo, për shkak të kohës shumë të paktë në dispozicion deri në fillimin e ndeshjes.
Nga përvoja e vendeve të tjera europiane, mund të pohohet me siguri gati të plotë se nuk ka ndodhur kurrë që leja për lejimin e tifozëve në stadium të jepet ditën e ndeshjes. Në Angli, Gjermani, Itali, Spanjë e kudo kjo gjë është bërë disa javë përpara.
Përsa i përket finales, Vllaznia do të kërkojë të fitojë kupën e 7-të në histori, ndërsa Skënderbeu të dytën. Shkodranët e trajnerit Tomas Brdariç u kualifikuan pasi eleminuan Laçin në gjysmëfinale, ndërsa dolën në vend të dytë në Superligë, me pikë të barabarta me Teutën. Korçarët e trajnerit Migen Memelli realizuan misionin e mbijetesës në Superligë me një fazë të katërt të shkëlqyer, ndërsa në gjysmëfinale të Kupës kaloi Teutën. Dy ekipet luajnë për shpërblimin prej 5 milionë lekësh, ndërsa Skënderbeu në rast fitoreje do të shlyeje edhe një vit dënim të dhënë nga UEFA.
Sfidanti.al