Ronaldo nuk stërvitet me Portugalinë

Një situatë e pazakontë ka përfshirë kombëtaren e Portugalisë në prag të ndeshjes me Danimarkën. Cristiano Ronaldo nuk është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës, vetëm pak ditë pasi qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në stol në fitoren ndaj Norvegjisë.

Kapiteni portugez u shfaq në stadiumin “Eleda Stadion” të Malmos rreth 30 minuta para fillimit të seancës stërvitore, por nuk iu bashkua grupit. Ashtu si João Félix dhe Francisco Conceição, të dy të dëmtuar, Ronaldo nuk mori pjesë në stërvitjen e skuadrës. Sipas versionit zyrtar të Federatës Portugeze të Futbollit, Ronaldo nuk kishte një problem fizik, por u largua nga stadiumi pas një bisede të shkurtër me trajnerin Jorge Jesus dhe u kthye në hotel. Atje ai zhvilloi një seancë të veçantë në palestër.

Federata ka shpjeguar se stadiumi nuk kishte pajisjet e nevojshme për të realizuar programin specifik të stërvitjes që ishte planifikuar për Ronaldon. Megjithatë, nuk janë dhënë detaje mbi natyrën e kësaj seance. Situata ka nxitur spekulime, sidomos pas vendimit të Jorge Jesus për ta lënë Ronaldon në stol ndaj Norvegjisë. Sulmuesi nuk e fshehu zhgënjimin pas ndeshjes, duke u larguar nga fusha pa përshëndetur tifozët.