Flamurtari edhe mund të mos bjerë nga kategoria. Skuadra cilësore vlonjate, pavarësisht 6 pikëve të hequra në tabelë, dhe pavarësisht problemeve të ndryshme (sidomos konfliktet me FSHF-në dhe vonesat e pagave si dhe borxhet), sërish duket qartë që e ka kapacitetin për të mbijetuar në Superligë. E tregoi edhe me fitoren ndaj njërit prej rivalëve më në formë, Vllaznisë.
Shkodranët shkuan në Vlorë me pretendime, dhe e gjetën Flamurtarin pa tifozë në stadium, për shkak të dënimit të Disiplinës, por asgjë nuk u bëri “fajde”. Një gol që në minutën e 7-të shënuar nga sulmuesi kroat, Tomisllav Bushiç, dhe një rrjetë në pjesën e dytë nga sulmuesi brazilian, Danilo Alvesh, i dhanë një fitore të merituar, pavarësisht reagimit të Vllaznisë në fund.
Vlonjatët këmbëngulën më shumë dhe e patën ndeshjen në kontroll, duke u rrezikuar vetëm në minutat e fundit, kur miqtë goditën dy herë shtyllën.
Fillimisht, Bardulla dhe pastaj Tafili iu afruan një goli që mund të kishte rihapur ndeshjen, por këtë herë fati nuk ishte me ekipin e trajnerit Cungu.
Suksesi bëri që Flamurtari të ngjitej në kuotën e 31 pikëve, dy më shumë se Laçi që do të luajë me Skënderbeun, pra që ka një ndeshje më pak, veçse që do ta ketë të vështirë të dalë me pikë. Vllaznia është në vendin e pestë, me 37 pikë, dy më pak se Luftëtari që është pretendent kryesor për vendin e katërt dhe për të shkuar në Ligën e Europës.
Gjirokastritët fituan 4-0 ndaj Korabit, në ndeshjen e luajtur më herët në “Elbasan Arena”.
Në stadiumin e radhës që ishte shtëpi e dibranëve, për Luftëtarin shënuan Brahimaj, Bregu, Bengui dhe Rezhinaldo.