Bie edhe “koka” e Josës, nuk vlen kupa, por e “këput” Laçi!

Mirel Josa nuk është më trajner i Vllaznisë. Tekniku kryeqytetas u largua nga detyra pas humbjes së kësaj të diele në Superligë në fushën e Laçit, disfatë që e la skuadrën shkodrane 7 pikë prapa vendit të parë. Klubi njoftoi në faqen zyrtare në rrjetet sociale se ndarja është bërë me mirëkuptim, por është e qartë se drejtuesit nuk kanë qenë të kënaqur nga loja dhe nga rezultatet e javëve të fundit.

Josën nuk e shpëtoi as fakti që në mesjavë Vllaznia u kualifikua për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë duke eliminuar Partizanin. Edhe pas asaj ndeshjeje, presidenti Xhaferi shprehu rezerva për nivelin e lojës. Për momentin, ekipin do ta drejtojnë Vioresin Sinani dhe Auron Miloti, ndërsa pritet se çfarë vendimi do të marrë klubi për trajnerin e ardhshëm. Vllaznia është në vendin e 4-ët në Superligë me 37 pikë, 7 më pak sesa Partizani e Tirana.

Sfidanti.al