Me fitoren e djeshme ndaj Flamurtarit, Tirana është shumë pranë titullit kampion për të 25-ën herë, por si kurrë më parë në historinë e saj, këtë rradhë po bën të vetin kampionatin më të çuditshëm të globit. Nuk mund të ndodhë askund tjetër, që një fitore kaq e rëndësishme, mbi të gjithë ndaj një rivali tradicional, të kalojë pa minimumin e emocionit. Këtë sezon, skuadra vlonjate është thjesht një numër, madje që nga dita e hapjes, i tillë ka qenë edhe Luftëtari. Flitet për dy ekipe që nuk kanë qenë kundërshtarë të askujt, në një kampionat që nisi praktikisht me tetë skuadra, por që ne duhet të vazhdojmë të heqim emra me arsye.
Skënderbeu vazhdon të vuajë një dënim 10 vjeçar dhënë nga UEFA, kështu që nuk është në garë për ndonjë përfaqësim europian. Ndërkohë që një pjesë e skuadrave të mbetura në listën e varfër të futbollit shqiptar, nuk janë të liçensuara për të kaluar kufirin. Kështu, për të qenë më konkretë, duhet theksuar se këtë të drejtë e kanë vetëm katër ekipe, pikërisht Tirana, Kukësi, Teuta dhe Laçi. Pra, gara jonë për të marrë pjesë në kupat e Europës ishte e përcaktuar që pa filliar kampionati, mungonin vetëm detaje, nëse Tirana dhe Teuta do të fitonin ndonjë trofe këtë edicion, meqenëse në fund të tij do të festojnë 100 vjetorët e themelimit. Ndërsa që nga lista duhen zbritur edhe tifozët, të cilët prej kohësh e kanë refuzuar këtë lloj futbolli dhe përveç ndonjë derbi, pamjet e stadiumeve janë pothuajse të njëjta, me ose pa pandemi. Vetëm kaq futboll kemi dhe shumë fitues padyshim…