Për Ergys Kaçen, ky i tanishmi sigurisht që nuk është moment më i mirë, madje periudhën e vuajtjes e ka pasur relativisht të gjatë. Për një bluzë me logon e UÇK-së, të veshur aksidentalisht, tifozët dhe drejtuesit e PAOK të Selanikut u tronditën aq shumë, saqë asnjëherë nuk ia falën, madje ndoshta ishte kjo krisje që e detyroi të largohej nga kampionati grek, për t’u transferuar në Çeki tek Liberec. Por për fat të keq, futbollisti i lindur në Korçë nuk ka gjetur ambjent shumë mikëpritës as në ekipin Kombëtar. Megjithëse u mendua ndryshe, shumë pak ka qenë përzgjedhur si titular në formacionin kuqezi, ndërkohë që tjerë, ndjeshëm më pak cilësorë, kanë pasur më tepër akses në dashurinë e drejtuesve. Vazhdimisht në stol, ndërsa tani e ka humbur edhe këtë “privilegj”, pasi ai që dikur konsiderohej si një talent shumë premtues, tashmë është spostuar në tribunë.
Pas ndeshjes ndaj Spanjës në “Loro Boriçi”, nëpërmjet shtypit u bë e ditur se Kaçe ishte fyer aq shumë nga vendimi i fundit i De Biazit, saqë kishte vendosur të mos vinte më në Shqipëri për Kombëtaren, por më pas ishte FSHF që e përgënjeshtroi lajmin, duke i marrë me pahir një intervistë për faqen e saj zyrtare. Por çuditë në këtë ambjent vazhdojnë me të njëjtin ritëm. Erion Bogdani, një ish-futbollist i Kombëtares, tashmë pjesë e stafit, ka thënë se Ergysi duhet të bëj durim, pasi lojtarët rriten edhe duke qëndruar në stol. Mund të ndodh edhe kështu, megjithëse më parë Bogu gjatë karierës së tij nuk i bënte hyzmet kësaj teorie, në të kundërt, donte të ishte gjithmonë në fushë për t’u rritur. Aq më shumë që Kaçe tani është në tribunë dhe sa është propabiliteti që të rritesh në një ambjent ku je i veshur njëlloj me 20 mijë njerëz të tjerë që të shoqërojnë tek shkallët?!