Kërcënimet nuk pinë ujë me njerëz të fortë. Joakim Lëv është një i tillë, ndryshe nuk do të kishte dalë kampion i botës dhe nuk do të qendronte për 13 vjet në stolin e Gjermanisë, dhe ja ku jemi në “betejën” e tij të re me … Bajernin e Mynihut. Pak ditë pasi presidenti bavarez, Uli Hënes, kërcënoi të tërhiqte lojtarët nga kombëtarja nëse Manuel Nojer nuk do të ishte titullar, Lëvi u përgjigj fort, madje mund të thuhet me një provokim.
“Në dy ndeshjet e radhës, Manuel Nojer dhe Mark-Andre Ter Shtegen do të luajnë nga një secili, – deklaroi trajneri para mediave, – e kam thënë dhe e përsëris se Manuel Nojeri është numri 1 dhe kapiteni, përsa i përket Europianit, por bashkë me Andreasin (Këpken) kemi vendosur që Mark-Andreja do të luajë në Dortmund, dhe Manueli do të jetë në Talin”. Një veprim që duket se është për t’i treguar Bajernit që, pavarësisht se është superfuqi e futbollit gjerman, nuk mund të diktojë vendimet e trajnerit të kombëtares.
Nuk dihet se çfarë do të bëjnë bavarezët, të cilët fillimisht kërcënuan, por pastaj bënë një hap prapa. Në Mynih, janë të zemëruar me Joakim Lëvin që kur la jashtë kombëtares Tomas Mylerin, Zherom Boatengun dhe Mats Humelsin.
Sfidanti.al