Joakim Lëv dëfrehet nga Gjermania e tij: Jo favoritë në Europian, por e provojmë!

Mund të cilësohet si fitorja e të rinjve. Një Gjermani e së ardhmes dha një provë madhështore ndaj Irlandës së Veriut, duke mundur 6-1 një ekip që i rrezikonte madje kualifikimin për në Europian, pak javë më parë. Të besuarit e trajnerit Joakim Lëv dhanë një spektakël të vërtetë në stadiumin “Komercbank Arena” të Frankfurtit.

Yjet e rinj të Bajernit, Serg Gnabri e Leon Gorecka shkëlqyen mbi të tjerët, të paktën në shënimin e golave. Gnabri realizoi tri herë, ndërsa Gorecka shtoi dy rrjeta, ndërsa katër herë kampionët e botës treguan karakter duke reaguar pas avantazhit të hershëm të miqve. Kjo do të thotë se Gjermania doli në vendin e parë në grupin C të eleminatoreve europiane, duke arritur të lerë pas një rival shumë të fortë si Holanda.

Teutonët kanë 21 pikë ndaj 19 të “tulipanëve”, ndërsa kanë shënuar 30 gola në 8 ndeshje. Në formacion ishin të rinj të tjerë si Brant, Tah e Klosterman, ndërsa pas pushimit u aktivizuan edhe Serdar, Amiri dhe Shtark.

“Më në fund realizuam një ndeshje të vërtetë, – u shpreh Lëvi, – kjo ishte një mbyllje shumë e mirë e vitit, dhe shpresoj që edhe viti tjetër të jetë kështu. Gjermania nuk është ndër favoritet për të fituar Europianin, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do ta synojmë. Kemi pasur shumë dëmtime, dhe kjo na ka vonuar në formimin ekipit, dhe në përfshirjen e plotë të lojtarëve të rinj. Besoj se do të kemi më shumë fat në vazhdim. Ishte një kënaqësi për ta parë skuadrën time kështu”.

Epërsia ndaj një ekipi të fortë si Irlanda e Veriut ishte e plotë. Gjermanët zotëruan topin 73 për qind, patën 91 për qind saktësi në pasime, ndërsa dhanë gati trefishin e pasimeve të rivalëve, plot 844. Ata realizuan 22 gjuajtje, nga të cilat 11 në kuadrat, ndaj vetëm 1 gjuajtjeje në kuadrat të veriirlandezëve.

Sfidanti.al