S’ka tjetër si Lebron Xhejmsi, ylli kalon Xhordanin, por i duhen edhe titujt!

Nëse do ta bënte dikush, ai ishte kandidati numër 1. Që pas largimit të Majkëll Xhordanit, NBA njeh vetëm një legjendë që mund të realizojë mrekullitë dhe ky është Lebron Xhejms. Veterani 34-vjeçar, që luan sikur të jetë djalë fare i ri, u bë i pari lojtar në historinë e basketbollit amerikan që realizon një tripëll dabëll ndaj të 30 skuadrave kundërshtare. As Xhordani, as Bill Rasëlli, Xhabari, Çembërleni apo Mexhik Xhonsoni nuk kishin qenë në gjendje për këtë.

Lebroni shënoi 25 pikë, kapi 11 topa në tabela e shërbeu 10 asiste në fitoren që Lejkërsat arritën ndaj Oklahomës, me shifrat 112-107. Suksesi nuk ishte aspak i lehtë dhe u deshën edhe 34 pikët e Entoni Dejvisit, por Xhejmsi nuk mund të ndalej. Rekordi më i fundit tregoi sërish se çfarë lojtari i shumëanshëm është ai, padyshim më i kompletuar se kushdo tjetër që ka luajtur në Arenat e NBA-së përpara tij.

Nëse Xhordan ishte i jashtëzakonshëm në saktësi, dhe një kapiten i madh që fitoi 6 tituj, Lebroni është më i fortë, duke kapur më shumë topa në tabela e duke shërbyer më shumë asiste. Ai është i katërti në renditjen e shënuesve të të gjitha kohëve, dhe synon të dalë i pari, si dhe është në dhjetëshen e parë për asiste. Gjithsesi, synim kryesor për Xhejmsin janë titujt në NBA, pasi ka fituar vetëm 3, ndaj i duhet ende shumë që t’i afrohet Majkëll Xhordanit.

Sfidanti.al